Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka folur për mediat duke u ndalur edhe te sulmi i fundit kibernetik ndaj sistemeve të Postës Shqiptare.
Ai bëri të ditur se aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me ekspertët e Postës Shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë të natyrës dhe përmasave të incidentit.
Sipas tij, pavarësisht sulmit, shërbimet e Postës Shqiptare vijojnë të funksionojnë normalisht dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues që sistemet apo të dhënat të jenë komprometuar apo enkriptuar.
“Momenti që flasim është duke u zhvilluar një analizë e detajuar nga autoriteti i kibernetikës, po ashtu dhe nga ekspertët e postës. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht, nuk ka të dhëna deri tani që janë të inkriptuara. Duhet të presim raportin përfundimtar,” u shpreh Demo.
Ai theksoi gjithashtu se strukturat përgjegjëse për sigurinë kibernetike në vend kanë kapacitetet e nevojshme për të garantuar integritetin e të dhënave publike, duke shtuar se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim./Versus.al

