
Zenel Velsula, një nga personat e parë që mbërriti në vendin e krimit, ka rrëfyer se pranë trupit të pajetë të 56-vjeçarit Selim Velsula ndodhej edhe një copë dru, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur për ta goditur viktimën.
Ai shtoi se telefoni i Selimit ishte gjetur rreth 6 metra larg trupit të tij.
Ndërkohë, vëllai i viktimës ndodhej vetëm 500 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja, por nuk kishte dëgjuar asnjë zhurmë dhe as e kishte parë trupin e pajetë.
Zbulimi i tmerrshëm u bë nga një punonjës i ujësjellësit, i cili po kalonte rastësisht në atë zonë dhe vuri re trupin e mbuluar me gjak në rrugë.
Sipas dëshmitarëve, mes viktimës dhe autorit të dyshuar, 32-vjeçarit Hazbi Velsula, nuk ishte raportuar më parë ndonjë konflikt.
“Telefoni është gjetur më lart, viktima ishte këtu i shtrirë. Ishte i vrarë, i gjakosur. Në kokë se kam parë. Kishte një dru ndërmjet këmbëve, këtu ka qenë i shtrirë. Ka qenë duke ruajtur lopën dhe kalin. Telefoni u gjet pak më sipër. Viktima s’ka pasur konflikt, as me autorin. Nuk kanë pasur konflikte për toka, autorin se kam parë në fshat.
Faturuesi i ujit, se po hapja kanalin e ujit unë dhe një tjetër, kishte ardhur këtu, ishte afruar dhe kishe parë trupin. Më mori në telefon më tha ‘ka ndodhur një ngjarje hajde shpejt’, jemi komshinj. Më tha “S’po e njoh a është Selimi apo Elmazi’, se i vëllai ka qenë më poshtë me bagëtitë.
Erdhëm këtu dhe lajmëruam policinë. Kur erdha ishte këtu vëllai i vet e pyeta “A dëgjove zhurmë a diçka?”. Më tha që s’kishte dëgjuar gjë.
I thashë “Si s’ke parë vëllain e varë në rrugë”, tha “Ku është?”. S’kishte parë gjë”, tregoi bashkëfshatari.







