AKTUALITET /

Ilir Meta lë qelinë dhe shkon në SPAK! Prokurorët e posaçem e pyesin si person nën hetim për CEZ-DIA

Pritet që pas paraqitjes në SPAK, Meta të flasë para mediave për herë të parë pas mbi 2 muajsh.

Shkruar nga Versus

Ilir Meta lë qelinë dhe shkon në SPAK! Prokurorët e

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë sot qelinë nr.5 të burgut 313 në Tiranë për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku po pyetet në cilësinë e personit nën hetim për aferën “CEZ-DIA”.

Nisja e procesit për të marrjen në pyetje të Metës ishte planifikuar të bëhej në orën 10:00, por pati vonesa derisa nisi në orën 11:00. Gjatë kësaj kohe, në faqen e facebook-ut të Metës u publikua një reagim ku ish-presidenti i arrestuar prej tre muajsh, shprehej se ende nuk kishte mbërritur në SPAK dhe se sapo të mbërrinte ishte i gatshëm të merrte në pyetje prokurorët.

"Rreth 15 minuta më parë mediat e regjimit mashtruan duke pretenduar se unë kam hyrë në ambientet e SPAK. Nuk është e vërtetë. Unë akoma jam në qelinë Nr.5, i gatshëm që në ora 10:00 për të shkuar në SPAK edhe pse lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore.
Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve"- shkroi Meta. 

I pranishëm në procesin e marrjes në pyetje të Metës është edhe avokati i tij Genc Gjokutaj. 

Ndërsa dje Meta deklaroi se e ka pritur këtë ditë, duke u shprehur se do të jetë vetë ai që do t’i marrë në pyetje prokurorët, duke theksuar se pas daljes në SPAK është i gatshëm të flasë për mediat.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Pa dyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhet në Facebookun e Ilir Metës.

Arrestimi i ish-presidentit u bë me 21 tetor të 2024 në një aksion ku pati edhe përplasje fizike teksa po kthehej nga Kosova për në Tiranë. Ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë nga 3 akuza për veprat penale: Korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Dje në SPAK u paraqitën Monika Kryemadhi dhe e ëma e saj Fatime Kryemadhi të cilat në dalje thanë se nuk u ishin përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, por se do të flisnin në gjykatë. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: