
Ilir Vrenozi, një nga zërat më të zëshëm dhe besnikë të Partisë Demokratike në rrjete sociale, është takuar së fundmi me ish-deputetin Myslim Murrizi, i njohur për qëndrimet e tij kritike brenda të djathtës. Dy figurat u fotografuan teksa konsumonin kafe në një nga lokalet e Tiranës – një moment që Vrenozi e ndau vetë me ndjekësit e tij në platformën “TikTok”.
Takimi mes tyre vjen në një moment delikat për demokratët, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për të hapur mbi 1200 kuti votimi në qarkun e Tiranës, pas zgjedhjeve të 11 majit. Murrizi, i cili kandidoi si deputet por nuk arriti të sigurojë mandatin, komentoi me tone ironike dhe shpresëdhënëse zhvillimet e fundit.
“Shyqyr që po hapen këto kuti, të biem rehat njëherë e mirë. Të paktën të mos akuzojmë më njëri-tjetrin për vota”, u shpreh Murrizi.
Ai shtoi se nuk ka qenë vetë nismëtar i ankimimit, por e mirëpret vendimin e KAS si një hap drejt qartësimit të rezultatit dhe, sipas tij, edhe drejt një mundësie për t’u rikthyer në Kuvend.
Takimi i dy figurave vjen si një reflektim i përçarjes dhe tensioneve të brendshme në kampin opozitar, por edhe si një sinjal për përpjekjet për bashkim apo të paktën për normalizim të marrëdhënieve mes demokratëve.
Pjesë nga biseda:
Vrenozi: Kthehem nga Shkodra telefonon një mik special që kam, po kthehemi jam afër Tiranës, jo më tha do vish të pish kafe. Një kapedan, e dini ju kujt i them kapedan babaxhan.
Murrizi: Si shkoi Shkodra?
Vrenozi: Mirë, njerëzit më flisnin, më duan, unë jam i thjeshtë, por edhe Shkodra është demokrate
Murrizi: Je popullor dhe si demokrat ke vajt tek zemra demokratëve
Vrenozi: Hera parë, 24 vite hera e parë, s’kisha vajtur
Murrizi: Deri ’90-ën duhej të merrje leje në degë të brendshme.
Vrenozi: Ç’thonë këta tani?
Murrizi: Shyqyr po hapen këto kutitë të biem rehat njëherë e mirë që të mos akuzojmë njëri-tjetrin. Unë jo, e kanë bërë këta të tjerët (ankimimin), shyqyr KAS vendosi të hapë Tiranën që të biem rehat, të paktën të mos akuzojmë njëri-tjetrin për vota, edhe nga gjys vote bëhen gati 600 vota kështu që ta shikojmë.
Vrenozi: Më tha një avokat, Alimehmetit një kuti, me kamera, 27 ishte kutia, në procesverbal 0.
Murrizi: Edhe unë i pavarur kam qenë, s’kam pas as vëzhgues, as komisioner, ata që i kanë caktuar t’i shikojmë, besoj do të rehatohen të gjithë nga rezultati që do të dalë pas rinumërimit.
Vrenozi: Unë kam dëshirë të madhe të jesh deputet, nga të buron ajo shpresë që ta kem edhe unë.
Murrizi: Unë nga natyra nuk bie në pesimizëm kurrë, është pjesë e optimizmit tim, gjithsesi duke parë realitetin ku jetojmë brenda listës së mbyllur shoh disa individë që kanë procese penale, kemi edhe shejtanë brenda që rrinë sa andej këtej, duke qenë që jam i treti pas Joridës dhe Alimehmetit, kam thënë që do të jem në Kuvend, s’e di pse tremben nga deklaratat e mia, edhe nëse do të jem do të jem përfaqësues i atyre 7289 demokratëve, jo tek PS-ja.
Vrenozi: Do të jetë një nga gëzimet e mia. Të falënderoj për këtë kafe.
Murrizi: Të uroj Bajram të gëzuar.
Vrenozi: E meriton edhe një të ardhme ta kemi komandant./ Versus.al







