Në Gjykatën e Posaçme këtë të mërkurë u mbajt seanca gjyqësore për zbardhjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës të ndodhur në janar të 2020-ës, ngjarje për të cilën është shpallur në kërkim Altin Hajri, kreu i klanit “Hajri” në Shijak.
Në gjykatë ka dëshmuar Festim Bexhdili kopshtar i resortit.
Ai ka deklaruar ndër të tjera se e kishte parë personin e vdekur, ndërsa shprehet se ishte tejet e frikësuar.
Kopshtari tregon se kanë qenë 4 persona të armatosur, jo të maskuar, por thekson se nuk i mbante mend.
“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga Ranger në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin.
Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha mu dukën si nga veriu.
Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe ju tha “c’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të ikin shpejt.
Nuk e di c’bëri Altini pastaj.
Nuk e di për çfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën ne makinë. Pasi ata ikën unë shkova në shtëpi në Kavajë”, ka deklaruar Bexhdili.
Pas rihapjes së çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, më 10 shtator u dërgua për gjykim në mungesë Altin Hajri, kreu i grupit “Hajri” i cili prej 2020-ës është shpallur në kërkim dhe një aksion i bërë së fundmi nga SPAK zbuloi se ai kishte qenë strehuar në shtëpinë e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja të cilin e kishte ndihmuar për t’u bërë deputet i PS.
Ndërkohë, grupi i përgjegjësve të akuzuar është ndarë në disa pjesë. Më herët gjykata ka dënuar Festim Bexhdilin me burgim të përjetshëm, ndërkohë që ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë, proces i cili është drejt fazave të fundit./Versus.al








