AKTUALITET /

Italia vijon dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, grupi i radhës mbërrin në Gjadër

Ministria e Brendshme italiane ka konfirmuar se 30 migrantë janë riatdhesuar tashmë nga kjo qendër, ndërsa të tjerë janë ende në pritje të procedurave për dëbim.

Shkruar nga Versus

 

Italia vijon dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, grupi i

Një tjetër grup emigrantësh është transferuar nga Italia në Shqipëri si pjesë e marrëveshjes dypalëshe për trajtimin e migrantëve të paligjshëm. Të martën në mëngjes, anija e Marinës italiane “Spica” u nis nga porti i Brindisit me rreth 30 emigrantë në bord, të cilët u drejtuan për në qendrën e paraburgimit për riatdhesim (CPR) në Gjadër, në veri të Shqipërisë.

Sipas autoriteteve italiane, personat e transportuar i përkasin kombësive të ndryshme, dhe vendimi për transferimin e tyre është pjesë e një plani më të gjerë për të menaxhuar flukset migratore dhe për të lehtësuar ngarkesën mbi strukturat pritëse italiane. Ky është transferimi i katërt, pas atij të 11 prillit, dhe aktualisht objekti në Gjadër strehon rreth 50 persona.

Ministria e Brendshme italiane ka konfirmuar se 30 migrantë janë riatdhesuar tashmë nga kjo qendër, ndërsa të tjerë janë ende në pritje të procedurave për dëbim.

Ndërkohë, çështja është në vëmendje të drejtësisë evropiane. Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të shprehet në ditët në vijim për apelimet paraprake të paraqitura nga Gjykata e Romës, e cila ka vënë në dyshim legjitimitetin e arrestimeve dhe transferimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe. Sipas argumenteve të paraqitura, emigrantët vijnë nga vende që Italia i konsideron të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi, çka ngre pikëpyetje mbi bazën ligjore të ndalimeve.

Në një deklaratë publike, Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, ka theksuar se nuk bëhet fjalë për persona që janë thjesht në gjendje të parregullt administrative. “Nuk është e vërtetë që ne sjellim atje emigrantë që janë fajtorë vetëm për këtë arsye. Kemi riatdhesuar njerëz të dënuar për krime të rënda, përfshirë përdhunim dhe pornografi me fëmijë”, u shpreh ministri, duke justifikuar transferimet si një masë për të mbrojtur sigurinë publike.

Marrëveshja për qendrën e Gjadrit, që ka ngjallur debat si në Shqipëri ashtu edhe në Itali, vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë në diskutimet mbi politikën e emigracionit dhe të drejtave të njeriut në Bashkimin Evropian. /Versus.al/

Tags:

gjader

Poll