AKTUALITET /

''Jemi të bllokuar në pronat tona” – Banorët e Kaninës në protestë, kundërshtojnë punimet e 'Gener 2'

Shkaku kryesor i pakënaqësisë është nënkalimi që po ndërtohet, i cili sipas tyre ka një lartësi shumë të ulët dhe pengon hyrjen normale në tokat bujqësore dhe ullishtet që sigurojnë jetesën për rreth 150 familje.

Shkruar nga Versus

''Jemi të bllokuar në pronat tona” –

Banorët e fshatit Kaninë janë rikthyer sërish në protestë, duke kundërshtuar punimet e kompanisë “GENER 2” për ndërtimin e bypass-it të Vlorës.

Shkaku kryesor i pakënaqësisë është nënkalimi që po ndërtohet, i cili sipas tyre ka një lartësi shumë të ulët dhe pengon hyrjen normale në tokat bujqësore dhe ullishtet që sigurojnë jetesën për rreth 150 familje.

Sipas banorëve, nënkalimi nuk mundëson as qarkullimin e mjeteve të emergjencës si ambulanca apo zjarrfikëse, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

“Nuk mund të hyjmë në pronat tona. Duhet të bëjmë kilometra të tëra për të arritur aty ku shkonim për pak minuta,” u shpreh një prej tyre.

Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm jo vetëm nga kompania ndërtuese, por edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili ka dhënë tenderin për bypass-in.

Ata theksojnë se nuk kanë marrë asnjë shpjegim zyrtar për problematikat që kanë ngritur.

Kryeplaku i fshatit, Bareq Sadiraj, u shpreh se ndërtimi aktual nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë, veçanërisht nëse për Kaninën parashikohet ndonjë plan zhvillimi.

Ai shtoi se kërkesat për informacion në institucionet përkatëse kanë mbetur pa përgjigje dhe mungon vullneti për një projekt alternativ.

Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse situata nuk merr zgjidhje në ditët në vijim.

Ndërkohë, edhe pse bypass-i i Vlorës është hapur për qarkullimin e automjeteve pas vonesave dhe rrëshqitjeve të dherave, banorët mbeten skeptikë për përfundimin e tij sipas standardeve. Deri më tani, ky projekt 29 kilometra i gjatë ka arritur një kosto mbi 56 milionë euro./Versus.al

Poll