
Avokati Ulian Barjami u lirua nga paraburgimi mbrëmjen e sotme pasi ishte arrestuar dy ditë më parë nën dyshimin se kishte kërcënuar prokurorin e Elbasanit, Gjergj Cekën gjatë një seance për caktimin e masave të sigurisë ndaj të arrestuarve të operacionit të 13 tetorit brenda një lokali ku u gjetën dhe armë.
Gjatë një interviste për emisionin ‘’Breaking’’, Barjami tha se ishte prokurori ai që e mori çdo gjë personale dhe se kishte deklaruar edhe në sallën e gjyqit se do e arrestonte avokatin.
“Nuk kam përdorur asnjë fjalë kërcënuese apo fjalë jo –profesionale. Kur u hapën pamjet filmike u kuptua se kishte mospërputhje. Kishte pasaktësi për atë çfarë ishte raportuar. Prokurori ka përdorur shprehjen “unë do ta arrestoj”, mesa duket e ka marrë personale. Veprimet e mia ishin ligjore”, deklaroi Barjami.
Më tej ai shpjegoi se ishte thirrur të nesërmen nga oficerja e policisë gjyqësore me argumentin se donin thjesht të sqaroheshin, por pasi kjo kishte ndodhur dhe ishte larguar, i ishte komunikuar arrestimi.
“Unë jam thirrur të nesërmen nga oficerja e policisë gjyqësore, deri në atë moment nuk ka patur asnjë kallëzim. Më ka thirrur dhe më ka thënë dua të të takoj lidhur me një sqarim. Dua të sqaroj se kush ka qenë ideja apo kuptimi i kësaj shprehjeje. E sqarova për atë kuptim që kishte realisht. Pastaj u largova dhe më ka komunikuar dhe më ka thënë do të të ndaloj me një urdhër. Është praktikë e paligjshme, arrestimi me nismë të policisë gjyqësore, ndodh vetëm në rastin e flagrancës. Ditën e ndalimit më është sekuestruar vetëm telefoni, asgjë tjetër”, u shpreh ai. Versus.al







