
Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe shtetasit Ahmet Masha për heqjen e masës së sigurisë "arrest me burg". Trupa gjykuese ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për zgjatjen me tre muaj të afatit hetimor, një vendim që ishte kundërshtuar nga të hetuarit.
SPAK ka tashmë afat deri më 20 korrik për të përfunduar hetimet për këtë dosje, ndërsa është ende në pritje të përgjigjeve nga letërporositë e dërguara partnerëve ndërkombëtarë, ku janë kërkuar informacione për disa episode dhe subjekte nën hetim.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar, nën akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje, përkrahje të organizatës kriminale dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Ish-deputeti i Durrësit dyshohet se, përmes ndërhyrjeve, ka ndikuar në favor të anëtarëve të grupeve kriminale, duke u lehtësuar akuzat apo siguruar lirimin e tyre nga burgu.
SPAK e akuzon gjithashtu për nxjerrje të informacionit hetimor dhe sekretit shtetëror. Masa e sigurisë "arrest me burg" ndaj tij është lënë në fuqi nga GJKKO, pavarësisht kërkesave të përsëritura për zbutjen e saj.
Çyrbja u arrestua vetëm një ditë para ndalimit të Ilir Metës, kreut të Partisë së Lirisë. Versus.al







