
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodian Brahos.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ambasada amerikane thekson se pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me drejtuesin e ri të SPAK.
Gjithashtu vlerëson punën e deri tanishme të Altin Dumanit duke theksuar se integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes SHBA dhe Shqipërisë.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”, shkruan ambasada e SHBA.
Mesazhi i plotë:
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si Kryeprokuror i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës. Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK.




