Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg Luan Hakën, ish-kandidatin për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare nën siglën e Partisë Demokratike. Ai u arrestua disa ditë më parë me akuzën për “Kontrabandë mallrash” dhe “Falsifikim të vulave dhe stampave tregtare”.
Përveç Hakës, masa e sigurisë “arrest me burg” është caktuar edhe për shtetasin turk Okzan Sulun dhe për Ali Bushatin, të dy të përfshirë në të njëjtën skemë kriminale.
Sipas dosjes hetimore, kontrabanda zhvillohej përmes kanaleve të paligjshme tregtare me Turqinë, ndërsa mallrat depozitoheshin në dy fabrika në zonën e fshatit Brar, në periferi të Tiranës, ku më pas shpërndaheshin në tregun vendas.
Prokuroria paraqiti prova dhe argumente të cilat bindën gjykatën për të vijuar me masat e rënda të sigurisë për tre të dyshuarit kryesorë.
Ndërkohë, dy persona të tjerë të arrestuar në lidhje me këtë çështje, Lindon Haka dhe Xhuljo Lecaj, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi”, do të hetohen në gjendje të lirë, me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Dosja pritet të thellohet në ditët në vijim, ndërsa grupi hetimor po verifikon lidhje të tjera të mundshme të rrjetit me biznesmenë apo struktura të tjera tregtare në Shqipëri. Versus.al







