
Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e prezantimit të vëllimit të II-të të udhërrëfyesit për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues diplomatikë.
Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj nënvizoi se të gjithë vendimet që merr institucioni që ajo kryeson, janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe jo opsionale.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese as opsionale, ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit që kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por të veprojnë në shina kushtetuese”- duke lënë të nënkuptohet edhe rasti i mandatit për deputeten e PS, Olta Xhaçka për të cilën Kuvendi refuzoi ta dërgonte çështjen për trajtim në Kushtetuese pavarësisht urdhrit të këtij institucioni.
Më pas vetë kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e qartë në çështjet me rëndësi të lartë.
“Inkurajoj Gjykatën Kushtetuese që të shprehet qartë për të gjitha çështjet që prekin aspekte kaq të rëndësishme jo vetëm të të drejtave, por edhe të standarteve dhe po ashtu që lidhen me funksionmimin e saj përfshi edhe cështjen e afateve të përfundimit të mandateve. Qartësia ligjore për të shmangur keqkuptimet është me rëndësi të madhe”- u shpreh Spiropali mes të tjerash. Versus.al







