Mëngjesin e sotëm anija e marinës italiane “Libra” solli në portin e Shëngjinit 16 emigrantët e parë afrikanë që u shpëtuan në ujërat italiane pranë ishullit të Lampeduza.
16 azilkërkuesit nga vendet si Egjipti dhe Bangladeshi, kanë prekur gjatë mesditës tokën shqiptare. Pas mbërritjes së tyre, azilkërkuesit iu nënshtruan një procesi të rreptë identifikimi, përfshirë intervistat dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve, përpara se të transferoheshin në një qendër strehimi.
Por dy prej tyre do të dërgohen në Itali, se gjatë verifikimeve kanë rezultuar se ishin minorenë. 14 prej emigrantëve kanë vazhduar procesin tjetër të verifikimit dhe transferimit për në kampin e Gjadrit.
Ndërsa do të presin vendimin e gjykatave italiane mbi kërkesat e tyre, azilkërkuesit do të qëndrojnë e mnë kampin e Gjadrit, një mjedis i monitoruar.
Për shumë prej tyre, kjo pritje është momenti kyç për të ndjekur ëndrrën për të jetuar në Bashkimin Evropian. Megjithatë, fati i tyre do të varet nga vendimet ligjore që Italia do të marrë në lidhje me qëndrimin e tyre.
Shqipëria, në këtë mënyrë, është pozicionuar si një port i rëndësishëm për menaxhimin e fluksit të migrimit në Ballkan, duke demonstruar angazhimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizave të migracionit.








