Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar pas pamjeve të publikuara në media dhe rrjete sociale, ku pretendohej se Shpella e Spilesë në Himarë po shndërrohej në një “lavazh” apo pronë private.
Në deklaratë zyrtare theksohet se shpella është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë, dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimeve nga institucionet përgjegjëse, duke respektuar standardet më të larta të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë.
Projekti i miratuar, i realizuar në bashkëpunim mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, parashikon ndërhyrje funksionale si:
-vendosja e një rrethimi mbrojtës,
-instalimi i paneleve informuese dhe
-ndriçimi dekorativ.
“Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv nuk do të tolerohet,” nënvizon Ministria, duke shtuar se ndërhyrjet e planifikuara kanë si synim rikualifikimin e shpellës dhe përmirësimin e kontekstit urban e turistik të zonës.
Punimet pritet të nisin në periudhën shtator–tetor të këtij viti.
Postimi i plotë:
Deklaratë në lidhje me Shpellën e Spilesë në Himarë
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë.
Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ.
Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!
Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë.
Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës.
Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.







