
Banorët e fshatit Dardhë në Librazhd kanë reaguar kundër rrethimit të një burimi uji në zonë, duke hequr gardhin me tela që ishte vendosur pranë tij.
Sipas informacioneve paraprake, gardhi dyshohet se ishte vendosur nga një hidrocentral i ndërtuar në zonën e Gurrë Bardhës, ndërsa burimi i ujit ndodhej brenda territorit të rrethuar. Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi te banorët, të cilët e konsiderojnë burimin si një aset të rëndësishëm për komunitetin.
Të mbledhur pranë burimit, banorët kanë kundërshtuar kufizimin e aksesit dhe kanë larguar rrethimin, duke kërkuar që uji të mbetet i lirë dhe i aksesueshëm për të gjithë.Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

