Në një kohë kur rrjetet kriminale shqiptare kanë arritur të dominojnë tregtinë e drogës në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, një qytet vazhdon t’i rezistojë me vendosmëri këtij depërtimi: Liverpuli. Sipas një investigimi të publikuar së fundmi nga tabloidi britanik Daily Mail, Liverpuli mbetet një nga të paktat qytete ku grupet kriminale lokale kanë ruajtur kontroll të plotë mbi trafikun e drogës, duke refuzuar bashkëpunimin me kartelet shqiptare dhe duke i konsideruar ata si kërcënim të drejtpërdrejtë për status quo-në kriminale.
Kjo situatë pasqyrohet edhe në kulturën popullore britanike. Në dramën kriminale të BBC-së, “This City Is Ours” (Ky Qytet është i Yni), personazhi i Michael Kavanagh, një bos i krimit në Liverpul, refuzon kategorikisht të lidhë marrëveshje me trafikantët shqiptarë. Seriali, i bazuar në ngjarje reale, nënvizon ndarjen e qartë të territoreve dhe tensionet që ekzistojnë mes bandave britanike dhe rrjeteve shqiptare.
Provat e Daily Mail: Shqiptarët, jashtë skemës
Investigimi i Daily Mail ka zbuluar mesazhe të koduara, përgjime dhe dëshmi të infiltruarish që tregojnë përpjekjet e dështuara të grupeve shqiptare për të depërtuar në tregun e drogës në Liverpul. Sipas këtyre të dhënave, bandat vendase përdorin strategji të organizuara për të mbajtur rivalët larg, përfshirë intimidimin, sabotimin e marrëveshjeve dhe rrjetëzim të ngushtë me komunitetin lokal, që i mbron nga ndërhyrjet e jashtme.
Ndryshe nga Londra, Birmingham apo Manchester, ku grupet shqiptare kanë krijuar lidhje të forta me kartele ndërkombëtare dhe kanë investuar në logjistikë, laboratorë droge dhe rrugë të trafikut, Liverpuli është një “fortesë e blinduar” kriminale, ku grupet e jashtme nuk kanë arritur të marrin terren.
Mafia shqiptare dhe rrjetet e saj
Gjatë dekadës së fundit, mafia shqiptare ka fituar një famë të frikshme në Europë, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Me rrënjë të thella në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine, grupet shqiptare janë njohur për brutalitetin, organizimin ushtarak dhe përdorimin e teknologjisë së sofistikuar si telefonat e koduar (EncroChat, SkyECC).
Por në Liverpul, kjo fuqi është përplasur me një mur. Bandat vendase – që kanë dekada të tëra përvojë në tregtinë e drogës – janë shumë të ngulitura dhe gëzojnë një lloj “besnikërie territoriale”, e cila i bën jashtëzakonisht të vështira ndërhyrjet e grupeve të huaja.
Lufta për territor: Një realitet i fshehur
Ndërsa pjesa më e madhe e publikut e sheh këtë si një luftë të heshtur mes kriminelëve, autoritetet britanike janë gjithnjë e më të shqetësuara për implikimet e sigurisë që mund të sjellë një përplasje direkte mes dy rrjeteve të mëdha kriminale. Një zyrtar policie, në kushtet e anonimatit, tha për Daily Mail:
“Ne nuk kemi parë ende përplasje të mëdha mes këtyre dy botëve, por tensioni po rritet. Grupet shqiptare po e shohin Liverpulin si pengesën e fundit për dominimin e plotë të tregut të drogës në Britani.” /Versus.al/







