Tiranë- Gjykata ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për Imer Krashin, 31 vjeçarin i cili disa ditë më parë përplasi 9 makina dhe një efektiv policie në tentativë për t’i ikur policisë në zonën e Liqenit të Thatë.
Menjëherë sapo polici e pyeti nëse kishte armë, Krashi shkeli gazin dhe shkaktoi një aksident masiv duke bërë që më pas të ndërhynin forcat “Shqiponja” për arrestimin e tij. Në gjykatë, i riu me precedentë të mëparshëm penalë ka shprehur pendesë duke thënë se ka qenë në gjendje ankthi dhe paniku dhe se merr mjekime për depresionin.
“Jam penduar për ngjarjen, kam qenë në gjendje ankthi dhe paniku. Marr mjekime për depresionin, kam qenë në gjendje të rënduar. Jam i gatshëm të paguaj dëmet”- mësohet të jetë shprehur 31 vjeçari në seancë gjyqësore.
Kujtojmë se pas arrestimit të tij, u zbulua se Krashi kishte qenë pjesë e grupit të Marklen Hakës, një tjetër personazhi me të shkuar kriminale në Fushë Krujë. Versus.al







