AKTUALITET /

'Mbrojti të moshuarit'/ Zbardhet dinamika e vr*sjes së Petrit Ndout, detaje tronditëse nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës

Petrit Ndou u vra në Thumanë pasi ndërhyri për të shpëtuar tre të moshuar nga një konflikt i dhunshëm. Bashkëshortja e tij, Gjystina Ndou, rrëfen momentet dramatike që çuan në humbjen e jetës së tij.

Shkruar nga Versus
'Mbrojti të moshuarit'/ Zbardhet dinamika e vr*sjes së
Viktima Petrit Ndou

Një konflikt i parëndësishëm rrugor në aksin Thumanë-Fushë Krujë u kthye në tragjedi në mengjesin e 20 janarit, ku 57-vjeçari Petrit Ndou humbi jetën nga goditjet me çekiç të 28-vjeçarit Andi Vokri, i arrestuar në flagrancë. Policia thotë se Vokri e goditi disa herë në kokë e trup Ndoun, i cili vdiq menjëherë në vendngjarje nga plagët e rënda.

Versionet kundërthënëse
Andi Vokri në dëshminë e tij në komisariat e përshkruan si një "konflikt të çastit" që i ka dalë jashtë kontrollit: një automjet i kishte zënë rrugën dhe, pasi nuk pranuan të kalonte i pari për të shmangur aksidentin, situata është përshkallëzuar. Por familja e viktimës e kundërshton ashpër këtë rrëfim.

Bashkëshortja Gjystina Ndou rrëfen se Petriti humbi jetën duke tentuar të shpëtonte tre të moshuar në rrezik, duke ia hedhur poshtë versionin e autorit të dyshuar.

Sipas saj, rreth orës 00:00, ajo dhe bashkëshorti i saj po ktheheshin nga një festë familjare në Bushnesh.

Në momentin që mbërritën pranë rrugës ku ndodhi ngjarja, vunë re dy automjete të bllokuara nga një mjet tjetër, që sipas saj ishte i agresorit. Ky i fundit po u bërtiste dhe po godiste automjetet, pasi drejtuesit e tyre nuk mund të hapnin rrugën për t’u zbrapsur.

Gjystina Ndou tregon se Petrit Ndou i njohu personat në automjete, pasi kishin qenë së bashku më herët gjatë mbrëmjes, dhe zbriti nga makina për t’i ndihmuar. Në atë moment, ai pa agresorin duke goditur pasagjeren e njërës makinë, Nikoll Aliaj dhe Lula Aliaj, të dy persona të moshuar. Petriti i është drejtuar agresorit me fjalët: “Janë të moshuar, çfarë po bën, s’të vjen zor?”, duke u përpjekur ta ndalojë dhunën dhe duke mbyllur derën e automjetit për të mbrojtur pasagjeren.

Sipas familjes, agresori ka vijuar me ofendime dhe ka tentuar të vazhdojë dhunën, ndërsa Petrit Ndou ka orientuar dy automjetet e tjera që të zbrapseshin dhe të futeshin në një kthesë, duke i çuar në një vend të sigurt, ku ata qëndruan deri në fund të ngjarjes.

Pas këtij momenti, sipas dëshmisë së bashkëshortes, dy persona të tjerë kanë zbritur nga automjeti i Andi Vokrit për t’u konfliktuar me Petrit Ndoun. Gjystina Ndou ka tentuar t’i ndalojë, por agresori ka vazhduar sherrin, duke iu afruar sërish makinës së viktimës, duke i marrë çelësin e automjetit, duke goditur mjetin dhe duke e shtyrë edhe atë vetë.

E frikësuar, Gjystina Ndou i ka kërkuar me lutje bashkëshortit të largohej dhe të fshiheshin, pasi ishin tre persona agresorë dhe ekzistonte frika se mund të ktheheshin me armë apo mjete të forta. Çifti u fsheh për disa minuta dhe njoftuan policinë, si dhe familjarët që ndodheshin pranë.

Më pas, duke menduar se agresorët ishin larguar, Petrit Ndou është kthyer vetëm për të parë automjetin e tij. Pak më vonë, familjarët mbërritën në vendngjarje, ndërsa sipas dëshmisë, autorët e kanë goditur Petrit Ndoun nga pas në kokë, me një çekiç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme./Versus.al

Poll