Banorët e krahinës Dukat–Tragjas–Orikum–Rradhim deklarojnë para SPAK se komuniteti i tyre po përballet me një përpjekje të qëllimshme për shpopullim të zonës. Përfaqësues të Kuvendit Komunitar Krahinor, strukturë e ngritur që prej vitit 2010 për çështjet e pronave dhe mbrojtjen e interesave të zonës, thanë se gjendja ka arritur në pika kritike.
Sipas banorëve, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur procedurat për prishjen e të gjitha njësive ekonomike që funksionojnë në territorin e krahinës. Ata theksojnë se bëhet fjalë për biznese të vogla dhe të mesme, të cilat mbajnë në këmbë ekonominë lokale.
“Momenti që prishen këto njësi, krahina mbetet pa ekonomi dhe ne nuk mbijetojmë më. Prandaj besojmë se synohet shpopullimi ynë,” – u shpreh një nga përfaqësuesit e Kuvendit.
Banorët akuzojnë se paralelisht po bëhen plane për të “zaptuar” tokat e krahinës, duke përdorur certifikata pronësie të rifreskuara së fundmi, të cilat sipas tyre janë produkt i falsifikimeve, kompensimeve të paligjshme dhe mbivendosjeve të pa merituara. Ata nënvizojnë se tokat po i kalohen personave që nuk i përkasin komunitetit autokton.
Për këtë arsye, 180 banorë kanë firmosur një kallëzim penal të depozituar sot në SPAK. Ata nuk bënë publikisht me dije emrat e personave të kallëzuar, duke thënë se nuk kanë frikë, por po respektojnë etikën dhe presin që organi i drejtësisë së re të veprojë.
''Jemi banorë të krahinës Dukat, Tragjas, Orikum, Rradhim. Unë jam, jemi të organizuar në Kuvend Komunitar Krahinor. Kuvendi ynë është ngritur në 2010, pasi kemi pasur problem për punën e pronave dhe tani gjendemi përpara një situate që krahina jonë synohet të çpopullohet totalisht. Kjo po bëhet me metoda ekonomike dhe me mohradamonim prone, mohim të drejtash. Situata është se aktualisht ka ardhur IKMT dhe kërkon të prishë të gjitha njësitë ekonomike që kemi ne në territorin e krahinës tonë – njësitë e mesme, të vogla dhe jo të oligarkëve, njësitë të cilat mbajnë në këmbë ekonominë e krahinës tonë. Momenti që prishen këto njësitë, krahina jonë ngelet pa ekonomi dhe ne nuk mbijetojmë më në atë krahinë. Për këtë arsye, ne mendojmë se po kërkojnë të na çpopullojnë, dhe pas prishjes së ndërtesave kanë plan të zaptojnë tokat, sepse kanë rifreskuar certifikatat e pronësisë të bëra me falsifikim nga zaptues dhe grabitës që nuk i përkasin krahinës tonë. Janë bërë kompensime në mënyrë të paligjshme, janë bërë mbivendosje të pa merituara, dhe për këtë arsye jemi detyruar të mbledhim kuvendin prapë dhe të organizohemi të mbrojmë veten tonë ligjërisht dhe fizikisht, nëse do të jetë e nevojshme.
Sot nuk kemi ardhur thjesht për të protestuar; kemi ardhur për të depozituar kallëzimin tonë në SPAK. Kallëzimi është firmosur nga 180 banorë. Nuk dua të bëj me dije se ndaj kujt po bëhet me emra, jo se i trembem, por për arsye etike dhe SPAK nëse organi i drejtësisë së re do të na japë të drejtë. Ne kërkojmë të mos preken pronat e krahinës tonë, të jenë certifikatat dhe për pronat e vjetra dhe të 7001, se ne nuk kemi probleme me njeri tjetrin, por me qeveritë gjatë këtyre 35 viteve që nuk na japin. Situata realisht, dhe pse duket e ekzagjeruar, ne gjendemi përballë një krimi përpara njerëzve, për shkak se shpopullimi sipas Kodit Penal shqiptar është krim kundër njerëzimit.
I bëjmë thirrje SPAK të vendosë drejtësinë dhe të burgosë autorët, të zhbëjë aktet administrative që iu kanë dhënë toka atyre të pamerituara dhe të tjerat, dhe të na japë tokat që na takojnë, se jemi banorë autoktonë. Duan të na prishin ndërtime neve, që të vijnë oligarkët dhe 100 hektarë në krahinë tonë dhe ne të zhdukem andej. Por edhe atyre ju themi se krahina e Dukatit do t’u përgjigjet me ligj, po, do t’u përgjigjet dhe si e kërkoni. Do t’ua japim si ta doni ju.'' shprehet një nga banorët e Dukatit. /Versus.al
