AKTUALITET /

Dorëzohet kërkesa për ekstradimin e Ahmetajt nga Zvicra! SPAK: Zbuluam 3 mln euro të transferuara jashtë vendit

Dosja e Ahmetajt u dërgua për gjykim në mungesë. Ndërsa gjatë procesit do të thirret të dëshmojë edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Shkruar nga Versus

Dorëzohet kërkesa për ekstradimin e Ahmetajt nga Zvicra! SPAK:

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra ku ky i fundit ka bërë kërkesë për azil politik. Gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tirana gjatë aeancës që u mbajt lidhur me parashtrimin e fakteve ndaj Ahmetajt për dosjen “Buka” ku u vendos të vijojë gjykimi në mungesë për të.

Për çështjen e privatizimit të kompanisë “Buka”, Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre me dëm ekonomik 7 miliardë lekë për shtetin.

Nga ana tjetër, avokati i tij, Henrik Ligori argumentoi se për këtë dosje ndaj Ahmetajt nuk ka masë sigurie. Ndërsa për dosjen e inceneratorit të Tiranës, Ahmetaj akuzohet për veprat penale ‘pastrim parash’, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv. Dyshohet se ai ka bërë të mundur që me vendimmarrjen e tij, sipërmarrësve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri t’I lidheshin kontratat koncesionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë. Sipas SPAK, si shpërblim, Ahmetaj ka marrë pasuri që kapin vlerën e 500 mijë eurove.

Prokurori i SPAK, Elvin Gjokaj lexoi kërkesën për gjykim dhe kërkoi që të merren në pyetje 14 persona si dëshmitarë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Më tej prokurori tha se kishin rënë në gjurmë të një sasie te madhe parash të transferuara jashtë vendit, 3 milionë euro drejt Austrisë.

“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që jane transferuar nga Shqiperia në një vend të BE që po verifikohet”- u shpreh prokurori.

Ndërkohë avokati Ligori tha se nëse është kështu, nuk ka përse prokurori të ngutej me mbylljen e hetimeve ndaj Ahmetajt dhe i kërkoi të paraqiste provat që ka.

“Prokurori po thotë që po na doli gje nga kjo do ngrejmë akuzë, nese ka hetime te tjera per këtë çështje prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet, nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprize, nëse ka prova te tjera prokurori ti paraqesë”- pretendoi avokati.

Për këtë gjë iu përgjigj prokurori i cili tha se ka patur hetime të ndara për shkak të informacioneve të ardhura nga Austria.

“Këtë akuzë e kishim të  detyruar ta njoftonin per shkak te afateve te parashkrimit, çështja është ndarë për shkak të akteve që kane ardhur nga Austria”- shtoi Gjokaj. Versus.al

Poll