Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pas kërkesës së dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë në Zvicër për ekstradimin e tij nga Zvicra, vend ku ka bërë dhe kërkesë për azil politik.
Në një postim publik, Ahmetaj e cilëson këtë informacion “të rremë” dhe sqaron disa pika kryesore.
Sipas tij, kërkesa për ekstradim është bërë vetëm një herë, më 18 gusht 2023, dhe ligji nuk parashikon dorëzimin e një kërkese të dytë.
“Ligji e përcakton qartë që bëhet vetëm një kërkesë. Çdo pretendim tjetër është pjesë e tymnajës,” shkruan ai.
Ahmetaj ndalet edhe te çështja e ashtuquajtur “pseudo-transfertës”, për të cilën thotë se prej më shumë se një viti po hetohet, duke theksuar se nuk ekziston asnjë transfertë mes tij dhe ndonjë biznesmeni.
“Le të mbetet sfidë! Shumë shpejt do ‘përkthehet’ letra-porosia,” nënvizon ai.
Postimi i plotë i Ahmetajt:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
1. Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
2. Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
3. Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
4. Më shumë detaje, në vijim…./Versus.al

