AKTUALITET /

Strasburgu pranon padinë e studentëve të Mjekësisë kundër punësimit të detyruar

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë e dorëzuan padinë në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar anulimin e dispozitës që i detyron të qëndrojnë në vend pas përfundimit të studimeve.

Shkruar nga Versus

Strasburgu pranon padinë e studentëve të Mjekësisë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka pranuar të shqyrtojë padinë e paraqitur nga studentët e Mjekësisë, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë në Shqipëri për të marrë diplomën.

“Strasburgu” ka hedhur hapin e parë drejt trajtimit të kërkesës së tyre për shfuqizimin e këtij ligji. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë e dorëzuan padinë në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar anulimin e dispozitës që i detyron të qëndrojnë në vend pas përfundimit të studimeve.

Më herët, në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese la në fuqi ligjin e miratuar nga qeveria në korrik 2023, duke bërë vetëm një reduktim të viteve të detyrueshme të punësimit. Sipas vendimit, studentët e viteve të 2-ta dhe të 4-ta do të duhet të punojnë 3 vite në Shqipëri, ndërsa ata të viteve 5 dhe 6 do të qëndrojnë 2 vite për të përfituar diplomën. Për studentët që refuzojnë nënshkrimin e kontratës parashikohet një gjobë e barabartë me pesëfishin e tarifës totale të shkollimit.

Pas këtij vendimi të Kushtetueses, studentët vendosën t’i drejtohen Strasburgut, me synimin për të rrëzuar ligjin e miratuar nga qeveria shqiptare./Versus.al

Poll