AKTUALITET /

Mirlinda Karçanaj kalon ‘topin’ tek ish vartësi i saj: Daniel Shima ishte përgjegjës për prokurimet!

Shkruar nga Versus

Mirlinda Karçanaj kalon ‘topin’ tek ish vartësi i saj:

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, e akuzuar për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si edhe për veprat që lidhen me organizatën kriminale, Mirlinda Karçanaj, ka komentuar rolin e ish-zëvendësit të saj, Daniel Shima, emri i të cilit u përfshi në vëmendje pas raportimeve për zhdukjen e tij për disa orë dhe rikthimit më pas në banesë.

Karçanaj e ftuar në Top Story deklaroi se Shima ka qenë përgjegjës për procesin administrativ të procedurave të prokurimit, ndërsa ajo vetë ishte fokusuar në aspektin teknologjik dhe zhvillimin e institucionit.

“Daniel Shima ka qenë përgjegjës për të gjithë procesin administrativ të procesit të prokurimit. Unë kam qenë e përqendruar të plotësohet procedura teknologjike për t’u bërë AKSHI ky që është sot”, u shpreh ajo.

Sipas Karçanajt, në një periudhë të caktuar ajo i kishte deleguar Shimës autoritetin kontraktor dhe gjatë asaj kohe nuk kishte pasur komunikim me të lidhur me procedurat konkrete.

“Në një periudhë unë e kam deleguar autoritetin kontraktor te Daniel Shima dhe gjatë kësaj periudhe nuk kam pasur komunikim në lidhje me këtë procedurë”, tha ish-drejtoresha e AKSHI-t.

Ajo shtoi se nuk dëshiron të paragjykojë ish-zëvendësin e saj për atë që është raportuar në media, ndërsa kërkoi që institucionet të hetojnë me seriozitet të gjithë çështjen.

“Për të mirën flet vetë historia e AKSHI-t, ndërsa për të keqen do të duhet të presim fundin e hetimeve dhe vendimet e gjykatës”, deklaroi Karçanaj./Versus.al

Poll