
Tiranë- Pesë persona janë arrestuar nga policia nën akuzën se morën peng një të moshuar si dhe kërcënuan gruan e tij për t’i marrë 2 milionë lekë të reja.
Në pranga kanë rënë Sulejman, 31 vjeç, Klinton Sina, 21 vjeç (vëllezër), Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu, 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli, 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur kur tre persona në rrugën “George Bush” morën me forcë në makinë të moshuarin Edvar Agalliu 68 vjeç të cilin e mbajtën peng në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë.
Më pas telefonuan gruan e tij të cilës i kërkuan që t’u dorëzonte shumën prej 2 milionë lekësh të reja. Kjo shumë i është dorëzuar 57 vjeçarit Bajram Ibraliu në zonën e Saukut.
Njëri prej të arrestuarve ka pretenduar se i moshuari që morën peng, i kishte ngacmuar të fejuarën Nikoleta Begollin. Kështu që i kishin kërkuar 2 milionë lekë që mos ta bënin publik ngacmimin seksual. Pas arrestimit, 5 autorëve iu gjetën dhe sekuestruan mbi 1.7 milionë lekë.
I moshuari ka deklaruar se e njeh Nikoleta Begollin, por ka mohuar që ta ketë ngacmuar. Versus.al








