
Banorët e fshatit Boçovë në Fier janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të parkut fotovoltaik në tokat e tyre.
Ata shprehen se prej vitesh kanë paguar taksat dhe punojnë tokat për tu ushqyer me prodhime bujqësore ose bagëtitë që kullotin. Të revoltuar ata shprehen se Prokuroria e Fierit nuk i ka bllokuar punimet pavarësisht se banorët e fshatit kanë dokumentacione të rregullta të tokave që ata punojnë.
Sipas tyre, mosreagimi i prokurorisë për të ndaluar punimet ka rritur tensionin në komunitet dhe ka shtuar dyshimet për një skemë të mirëorganizuar tjetërsimi pronash.
Banorët i kanë bërë apel SPAK të ndërhyjë për të vendosur drejtësi pasi ndihen të zhgënjyer nga mungesa e përkrahjes së institucioneve.
“Ne nuk po kërkojmë favore, por drejtësi. Tokat janë jeta jonë dhe nuk mund të na merren me vendime në letër dhe me mbrojtje politike,” thonë banorët.
Ata kërkojnë që të lejohen të punojnë tokat e tyre dhe ti kthehen normalitetit pasi nuk dëshirojnë të ketë konflikte me investitorët apo institucionin e Bashkisë Fier./Versus.al

