AKTUALITET /

Moti i keq, përmbyten rrugët e Durrësit! Në Delvinë e Finiq uji vërshon edhe brenda bizneseve (VIDEO)

Pavarësisht se ministria e paraqet situatën si të normalizuar, në terren ka problematika në Delvinë, Kurbin, Dibër dhe Kukës.

Shkruar nga Versus

Moti i keq, përmbyten rrugët e Durrësit! Në Delvinë e

Autoritetet kanë dhënë detajet lidhur me situatën në vend pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës. Reshjet kanë shkaktuar problematika në qarkullim në disa qarqe për shkak të pranisë së gurëve dhe inerteve në rrugë.

Në zona si Durrësi është përsëritur e njëjta situatë që ndodh gjithmonë sa herë që bie shi, duke bërë që rrugët të bëhen pothuajse të pakalueshme për shkak të pranisë së lartë të ujit.

Problematike paraqitet situata në Delvinë ku uji ka vërshuar duke përmbytur rrugën kryesore të qytetit dhe ka hyrë edhe në biznese. Ndërsa në Finiq, uji i përroit ka vërshuar në rrugë.

Njoftimi i ministrisë së Mbrojtjes për situatën me motin e keq:

Qarku Lezhë

Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.

Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.

Gjithashtu po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.

Qarku Durrës

Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.

Qarku Shkodër

Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.

Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.

Qarku Gjirokastër

Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet.

Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.

Qarku Elbasan

Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.

Qarku Korçë

Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke u shmangur rreziku për banesat.

SITUATA ENERGJETIKE

Ekipet e OSHEEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji

-në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës

- në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit

- Në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës

- Në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe në kontakt të pandërprerë me strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave, për marrjen e masave në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Versus.al

Poll