
Policia ka vënë në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pas zbulimit të disa ndërtimeve pa leje në zonat turistike të Jalës dhe Dhërmiut. Ndërtimet dyshohet se ishin ngritur për qëllime përfitimi gjatë sezonit turistik, duke shkelur ligjin urbanistik dhe pa marrë miratimet përkatëse.
Mes të arrestuarve janë një inxhinier dhe drejtuesi i projektit, të cilët akuzohen se kanë lejuar vazhdimin e punimeve ndonëse ndërtimet ishin pa leje. Sipas policisë, ata kanë angazhuar punëtorë për të kryer ndërtime pa dokumentacion ligjor, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ndërtimet në zonat bregdetare.
Po ashtu, janë vënë nën hetim edhe 4 punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë, të cilët dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke mos ndërhyrë për të ndaluar punimet e paligjshme apo duke i lejuar ato në mënyrë të qëllimshme.
Operacioni vjen në kuadër të hetimeve të zgjeruara kundër ndërtimeve pa leje në zonat turistike, ku kërkesa e lartë për kapacitete akomoduese ka nxitur rritjen e abuzimeve me ligjin. Versus.al







