AKTUALITET /

“Në kujtim të Gentianës”, komuniteti italian homazh për gruan shqiptare që u vra nga ish-bashkëshorti: Vrasje e paralajmëruar

Familjarët e viktimës janë thellësisht të tronditur. Vëllai i saj, Arturi, i ardhur nga Shqipëria, deklaroi shkurt: “Motra ime e kishte raportuar tashmë Ajo kishte denoncuar më parë ish-bashkëshortin, por duket se masat mbrojtëse nuk mjaftuan për të shmangur tragjedinë"

Shkruar nga Versus

“Në kujtim të Gentianës”, komuniteti italian homazh

Një stol i zakonshëm, i vendosur në rrugën Viale Benadduci, aty ku vetëm pak ditë më parë ndodhi një krim makabër, është shndërruar në një simbol të dhimbjes dhe kujtesës. Aty ku 55-vjeçari shqiptar Nikollaq Hudhra u ul pasi vrau me thikë ish-gruan e tij, Gentiana Hudhra, bashkia ka vendosur të vendosë një stol të kuq me mbishkrimin “Në kujtim të Gentianës”, si pjesë e një nisme simbolike për të rritur ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave.

Gentiana, 45 vjeç, një kujdestare me profesion dhe nënë, u vra të shtunën në mbrëmje në sy të kalimtarëve – mes tyre edhe fëmijë – në një akt brutal dhe publik. Pasi e qëlloi me thikë dhe e goditi me shqelm, agresori priti i ulur në stol mbërritjen e policisë.

Demonstratë qytetare në nderim të viktimës

Në reagim ndaj kësaj tragjedie, kryetari i bashkisë Mauro Sclavi dhe administrata vendore, në bashkëpunim me grupet politike të këshillit bashkiak, kanë thirrur një demonstratë sensibilizuese me titullin “Për Gentianën”, e cila do të zhvillohet nesër në mbrëmje, në orën 21:00, në Piazza della Libertà.

Procesioni do të ndjekë një itinerar përmes rrugëve kryesore të qytetit, për të përfunduar në Viale Benadduci, në vendin e ngjarjes. Aty, në orën 21:30, do të mbahen fjalime nga përfaqësues institucionalë, përfshirë presidenten e Komisionit Rajonal për Barazi, Maria Lina Vitturini, prefekten e Maceratës Isabella Fusiello, peshkopin Nazzareno Marconi, si dhe presidentin e Rajonit, Francesco Acquaroli, i cili ka shprehur publikisht dhimbjen dhe mbështetjen për familjen e Gentianës dhe komunitetin e tronditur.

“Një jetë e ndërprerë është një dhimbje e madhe për të gjithë komunitetin,” u shpreh Acquaroli.
“Dhuna ndaj grave është një plagë që nuk mund të tolerohet më. Institucionet kanë detyrën të veprojnë, jo vetëm të reagojnë.”

“Motra ime e kishte raportuar”

Familjarët e viktimës janë thellësisht të tronditur. Vëllai i saj, Arturi, i ardhur nga Shqipëria, deklaroi shkurt: “Motra ime e kishte raportuar tashmë Ajo kishte denoncuar më parë ish-bashkëshortin, por duket se masat mbrojtëse nuk mjaftuan për të shmangur tragjedinë"

Pranë tij qëndronin të afërm të tjerë, përfshirë një kushëri dhe tezja e Gentianës, Miranda, e cila jeton në Piacenza:

“Nuk e kisha parë prej 10 vitesh, por flisnim çdo ditë,” tha ajo mes lotësh.
“Nuk kam fjalë. Nuk është e drejtë.”

Ngjarja ka prekur thellësisht opinionin publik jo vetëm për natyrën e saj të dhunshme, por edhe për indiferencën institucionale që parapriu tragjedinë. Organizatorët e demonstratës u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht, si një përqafim simbolik ndaj familjes së viktimës dhe një refuzim kolektiv i dhunës ndaj grave.

Stoli i kuq, tashmë i vendosur në vendin e krimit, mbart mesazhin e një shoqërie që nuk dëshiron të heshtë më përballë femicidit. /Versus.al/

Poll