AKTUALITET /

"Nëse s'e bëja unë, do më vriste ai..." / Shqiptari rrëfen si ngriti pritë ish-mikut të tij grek dhe e ekzekutoi dje

Nga miqësi shumëvjeçare te gjakderdhja, detaje të rënda nga krimi që djeshëm

Shkruar nga Versus

"Nëse s'e bëja unë, do më vriste ai..." /

Një krim i rëndë ka tronditur Greqinë, ku mëngjesin e së shtunës, më 17 janar, kryeplaku 51-vjeçar i komunitetit Lithovunit u vra me armë zjarri. Autor i dyshuar i krimit është një shtetas shqiptar 44-vjeçar, i cili pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici.

Sipas mediave greke dhe burimeve zyrtare, viktima dhe autori ishin miq prej vitesh, por kohët e fundit marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar ndjeshëm, duke u shoqëruar me tensione dhe konflikte të hapura.

Prita fatale dhe tre të shtëna me armë
Nga të dhënat e para të hetimit rezulton se 44-vjeçari shqiptar i kishte ngritur pritë viktimës. Në momentin që 51-vjeçari po kalonte me automjetin e tij, autori dyshohet se e ka qëlluar tre herë me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Si pasojë e të shtënave, shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe automjeti përfundoi në një shkëmb. Trupi i viktimës u gjet i pajetë brenda makinës.

Pretendimi i autorit: “E godita i pari nga frika”

Në dëshminë e tij, autori shqiptar ka pretenduar se veproi nga frika, duke deklaruar se e pa viktimën duke i drejtuar armën nga brenda makinës.
“E kapa sepse, nëse nuk do ta bëja unë, do ta kishte bërë ai”, ka deklaruar ai para autoriteteve.

Gjatë kontrollit në automjetin e viktimës, policia gjeti një pushkë gjahu, çka konfirmon se edhe 51-vjeçari ishte i armatosur. Në makinë u gjetën gjithashtu copëza predhash, si në pjesën e përparme ashtu edhe në atë të pasme, elemente që po analizohen nga ekspertët balistikë.

"Nëse s'e bëja unë, do më vriste ai..." /

Nga kafeneja te ndjekja me makinë

Sipas dëshmive të publikuara nga agrinionews.gr, viktima ndodhej më herët në një kafene të zonës. Aty pa automjetin e autorit të kalonte pranë dhe dyshohet se e ndoqi me makinë drejt zonës së Agios Andreas.

Në një moment, 44-vjeçari bëri një kthesë U, duke kuptuar se po ndiqej, dhe pak më vonë ndodhi përballja fatale.

Vetëdorëzim dhe pranga
Disa orë pas vrasjes, autori shqiptar kontaktoi vetë policinë, duke deklaruar:
“Ejani të më merrni nga shtëpia, unë e vrava”. Ai u arrestua në banesën e tij dhe u dorëzua bashkë me armën e krimit, një pushkë gjuetie. Sipas Policisë Greke (ELAS), ndaj tij është ngritur akuza për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Reagimi i banorëve: “Askush nuk e priste këtë fund”
Banorët e zonës flasin për një miqësi të vjetër që u shndërrua në armiqësi.
“Dikur ishin shumë miq, por prej më shumë se një viti kishte tension mes tyre. Kishte zënka, madje thuhej se të dy ishin të armatosur”, kanë deklaruar banorë lokalë për mediat greke.

Viktima, Kostas Alexandris, përshkruhet si një njeri familjar, që kujdesej për nënën dhe vëllanë e tij, i cili kishte probleme shëndetësore.

Hetimet vijojnë
Autori i arrestuar është dërguar në Departamentin e Hetimit Penal të Mesolongjit, ndërsa çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Aetolia-Akarnania-s. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e krimit.

Poll