AKTUALITET /

Skandali i ilaçeve në Fier, kapen 4289 kuti ilaçesh të skaduara dhe kontrabandë

42-vjeçari kapet duke furnizuar farmacitë me barna të rrezikshme disa të skaduara, disa pa faturë tatimore dhe kontrabandë

Shkruar nga Versus

Skandali i ilaçeve në Fier, kapen 4289 kuti ilaçesh të
Një operacion policor i koduar “Skadenca”, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, ka tronditur tregun e farmacive në Fier, duke zbuluar një rrjet të fshehtë të shpërndarjes së ilaçeve të skaduara dhe të kontrabanduara.

Në qendër të hetimit përfundoi një 42-vjeçar, identifikuar si B. B., i cili magazinonte barnat në banesën e tij dhe më pas i furnizonte farmacitë lokale, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Gjatë kontrollit në pronësi të tij, forcat e Policisë dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë, sekuestruan gjithsej:

1635 kuti ilaçesh të skaduara
2654 kuti pa faturë tatimore, dyshohet të jenë kontrabandë
Në total, 4289 kuti me medikamente të ndryshme u sekuestruan si prova materiale, duke ngritur dyshime të forta për një aktivitet të organizuar kriminal me qëllim përfitimi personal.

Hetimet zbuluan se ky shtetas, gjatë një periudhe të gjatë kohore, hidhte barnat e skaduara në treg, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Fierit dhe duke shkelur ligjet për prodhimin dhe tregtimin e barnave.

Pas finalizimit të operacionit, B. B., 42 vjeç, u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Fierit, për veprat penale:

“Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”
“Fshehja e të ardhurave”
“Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”
“Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”

Poll