Policia e Shtetit ka dalë me një plan masash lidhur me ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Andorra e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Masat e Sigurisë
Policia do të sigurojë shoqërimin dhe mbrojtjen e futbollistëve të ekipit të Andorrës nga momenti i mbërritjes në aeroportin e Rinasit, në hotel, në stadium dhe gjatë kthimit në aeroport.
Për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara si lëndë piroteknike, flakadana dhe objekte të tjera të rrezikshme, do të kryhen kontroll të hollësishme në hyrje të stadiumit dhe në zonat përreth. Tifozët do të inspektohen me kujdes për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Rrugët e bllokuara
Policia do të mobilizojë një numër të madh të forcave, duke përfshirë Patrullat e Përgjithshme, Shqiponjat, Policinë Rrugore dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë. Këto forca do të monitorojnë jo vetëm zonën rreth stadiumit, por edhe të gjithë qytetin e Tiranës, duke siguruar qarkullimin e shërbimeve emergjente dhe menaxhimin e trafikut.
Nga ora 15:00 e ditës së nesërme deri në përfundim të ndeshjes, do të zbatohen kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore kryesore, si:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”);
Rruga “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Dervish Hima” dhe “Asim Zeneli” (pranë ambasadës së SHBA-së);
Rruga “Themistokli Germenji”;
Rruga “Gjergj Filipi”;
Rruga “Lekë Dukagjini” (nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi);
Rruga “Faik Konica”;
Rruga “Skerdilajd Llagami”.
Paralajmërimet për Tifozët
Policia paralajmëron se çdo veprim i dhunshëm ose i paligjshëm gjatë ndeshjes do të ndëshkohet sipas ligjit. Hedhja e sendeve të forta në fushë, përdorimi i lëndëve piroteknike, ose çdo vepër tjetër që pengon zhvillimin normal të ndeshjes, do të konsiderohet kundërvajtje penale dhe do të ndëshkohet me gjobë ose burgim.
Gjithashtu, falsifikimi ose dublikimi i biletave është i ndaluar dhe do të ndëshkohet sipas ligjit. Çdo biletë është e pajisur me një barcode unik dhe është personale. Tifozët duhet të mbajnë me vete biletën e tyre dhe të jenë të gatshëm për kontrollin e saj në hyrje.
Hyrja në Stadium
Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 18:00. Policia këshillon që tifozët të arrijnë në kohë për të shmangur radhët e gjata dhe për të lehtësuar procesin e kontrollit./Versus.al








