Fredi Beleri betohet sot si eurodeputet i partisë “Demokracia e Re” në Parlamentin Europian. Drejtoria e Burgjeve i dha lejen 5 ditore që nisi ditën e djeshme kur Beleri doli nga ambientet e burgut të Fierit ku po vuan dënimin prej 2 vitesh burg për blerjen e votave në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai foli për mediat në aeroportin e Rinasit para se të nisej drejt Greqisë. Për çështjen e dënimit të tij, Beleri tha se do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për ta ankimuar madje se do ta çojë çështjen deri në Strasburg.
Ndërsa me të mbërritur në Athinë ku u takua me Mitsotakis para nisjes drejt Brukselit Beleri foli për mediat dhe tha se himariotët nuk janë vetëm dhe se sipas tij i mbron “nëna Greqi”.
Kujtohet se Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e tij për leje pesëditore pas takimeve të njëpasnjëshme. Fredi Beleris do të ketë kohë deri në orën 16:00 të së shtunës 20 korrik për t'u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Versus.al







