
Fredi Beleri, mëngjesin e sotëm ka lënë ambientet e burgut të Fierit për të udhëtuar drejt Parlamentit Europian ku do të betohet si eurodeputet i partisë “Demokracia e Re”.
Më herët Drejtoria Burgjeve doli me një njoftim zyrtar lidhur me lejen e posaçme për Belerin, duke sqaruar se ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të ketë një leje 5 ditore nga momenti i daljes nga qelia deri në momentin e kthimit.
Në fotot e siguruara nga Versus.al, shihet teksa Beleri del nga ambientet e burgut ku në hyrje e presin familjarë dhe makina e ambasadës greke. Nga Rinasi Beleri do të niset drejt Athinës dhe më pas udhëton për në Bruksel.
Betimi i Belerit si eurodeputet do të bëhet gjatë ditës së nesërme në Bruksel. Ndërsa gjatë kësaj leje ai nuk do të jetë i shoqëruar nga efektivë të policisë së burgjeve, duke i dhënë liri pothuajse të plotë në këmbim të raportimit të të dhënave mbi udhëtimin e tij si prerja e biletës vajtje-ardhje, qëndrimi në hotel. Versus.al







