AKTUALITET /

Nga klasa në krim: Një mësues historie që drejtonte rrjet droge drejt Finlandës

Një mësues historie në Shqipëri rezulton të jetë një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar që trafikonte drogë sintetike drejt Finlandës. Grupi u çmontua në një operacion të përbashkët të SPAK dhe autoriteteve finlandeze.

Shkruar nga Versus
Nga klasa në krim: Një mësues historie që drejtonte rrjet
Fotomontazh dhe operacioni i SPAK

Ai mësonte nxënësit për Skënderbeun dhe Lidhjen e Prizrenit, por në prapaskenë ishte i përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Një mësues historie në Shqipëri rezulton të jetë një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar që trafikonte drogë sintetike drejt Finlandës. Grupi u çmontua në një operacion të përbashkët të SPAK dhe autoriteteve finlandeze.

Në total, janë identifikuar katër grupe kriminale me drejtues shqiptarë, të cilat janë goditur gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar në arrestimin e nëntë personave. Për dy të tjerë janë lëshuar urdhër-arreste – njëri dyshohet të jetë jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, dy nga “kokat” e rrjetit vijnë nga Vlora, ndërsa të tjerët nga Kuçova dhe Berati, me banim në Tiranë. Por surpriza më e madhe për hetuesit ka qenë pikërisht profili i njërit prej tyre: një mësues historie, pa precedentë penalë, i kthyer në bos droge.

“Na ka bërë përshtypje që për herë të parë kemi të bëjmë me një grup të fokusuar në drogë sintetike,” deklaroi kreu i SPAK Altin Dumani në konferencën për shtyp. Ai theksoi rrezikun e lartë që paraqet ekstazia dhe substancat sintetike, të cilat janë sekuestruar gjatë operacionit.

Dumani zbuloi gjithashtu se strukturat drejtuese të grupeve kriminale ndodheshin në Shqipëri, ndërsa baza e operacioneve ishte në Finlandë.
“Tipologjia është e qartë: kishin bazat në Finlandë, por e menaxhonin gjithçka nga Shqipëria. Në mënyrë periodike dërgonin njerëz atje për shpërndarje,” u shpreh kreu i SPAK.

Të 11 personat që janë të akuzuar janë shqiptarë dhe kanë pasur precedentë penalë në Finlandë. Versus.al

Poll