
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin 5-mujor “Puzzle”, duke goditur një rrjet të strukturuar të trafikut të armëve që operonte mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Hetimet, të cilat kanë nisur rreth pesë muaj më parë, zbuluan mënyrën se si grupi kriminal siguronte armë zjarri – kryesisht nga Kosova – dhe i sillte ato në Tiranë për t’i shitur në tregun e zi. Ndaj 10 anëtarëve të këtij grupi janë lëshuar masa arresti, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Hetimi nisi pas një mesazhi të vetëm
Zanafilla e këtij operacioni nisi nga një mesazh i zbuluar në telefonin e një prej të arrestuarve, çka vuri në lëvizje njësinë speciale të Policisë së Tiranës. Në vijim, hetuesit përdorën mjete të sofistikuara survejimi, përfshirë dronë, si dhe kryen blerje të simuluara armësh për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të grupit.
Kush janë të arrestuarit?
Të arrestuarit gjatë këtij operacioni janë:
Emirel Tusha
Leandro Haxhiaj
Fabricio Berberi
Rikardo Hajdaraj
Visar Murati
Kevin Farruku
Geraldo Muraj
Adriano Shehu
Ndërsa Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi ishin arrestuar më herët, më 1 maj të këtij viti. Policia ka shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë: R.K., 41 vjeç dhe A.N., 24 vjeç.
Çfarë u sekuestrua?
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa dhe automjete, policia ka sekuestruar:
14 armë zjarri (12 pistoleta – njëra me silenciator – dhe 2 automatikë)
2077 fara cannabisi
Sasi të konsiderueshme municioni dhe krehra
3 automjete dhe 8 celularë
Policia deklaron se operacioni “Puzzle” vijon me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Versus.al







