AKTUALITET /

Nga veriu në jug, Shqipëria digjet! Zjarrfikësit në alarm për 20 vatra aktive

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe për shmangien e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr, ndërsa theksojnë se Qendra Kombëtare e Emergjencave është në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment

Shkruar nga Versus

 

Nga veriu në jug, Shqipëria digjet! Zjarrfikësit në alarm

Shqipëria po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve që kanë shpërthyer në disa zona të vendit gjatë ditës së sotme. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 20:30 të mbrëmjes janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri të shpërndara në të gjithë territorin, nga veriu në jug. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erërave, por ndërhyrja e menjëhershme e strukturave zjarrfikëse dhe forcave operacionale ka bërë të mundur shuarjen e tyre.

Zonat më të prekura përfshijnë fshatrat Kosmaç dhe Kaç në Vau të Dejës, Vilë-Ballaj dhe Rrogozhinë në qarkun e Tiranës, Frakull, Cakran dhe Pojan në Fier, Katund i Ri në Durrës, Gegë në Kuçovë, Gruemirë dhe Zagorë në Malësinë e Madhe, Gjorm në Kurbin, si dhe disa zona në Vlorë si Kuzum Baba, Hoshtimë dhe Novoselë. Në terren janë angazhuar 28 automjete zjarrfikëse dhe 197 forca operacionale të cilat kanë punuar pandërprerë për vënien nën kontroll të situatës.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe për shmangien e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr, ndërsa theksojnë se Qendra Kombëtare e Emergjencave është në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment. Pavarësisht përpjekjeve për shuarjen e flakëve, situata mbetet e brishtë për shkak të kushteve klimatike, ndaj qytetarët ftohen të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të zjarreve pranë shërbimeve të emergjencës. /Versus.al

Poll