Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joani, vizitoi sot selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë, me rastin e Fitër Bajramit.
Atje u mirëprit nga Kryetari i këtij komuniteti, z. Bujar Spahiu.
Ndër të tjera, gjatë vizitës së tij, Kryepeshkopi Joan theksoi rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë, si një nga pasuritë më të mëdha që kemi, shembullin e të cilës mund ta përçojmë edhe jashtë kufijve tanë.
“Si çdo pasuri, duhet të kujdesemi për të siç janë kujdesur paraardhësit tanë, drejtuesit e mëparshëm të komuniteteve fetare. Kështu kemi edhe ne përgjegjësi që t’ia trashëgojmë atë brezave që do të vijnë. Për këtë nuk mjafton vetëm puna e klerikëve të secilit komunitet, por të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”, tha ai.
Kryepeshkopi shtoi gjithashtu se Perëndia nuk do na gjykojë vetëm për rezultatin që do kemi, por mbi të gjitha për përpjekjen e bërë.
Gjatë vizitës së Kryepeshkopit, i pranishëm ishte edhe Monsionior Arjan Dodaj, kreu i Arqidioqezës së Tiranës dhe Durrësit të Komunitetit Katolik. Takimi u zhvillua në klimë mjaft miqësore.








