Një tërmet me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës, duke u ndier në disa qytete të mëdha të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin dhe zonat përreth.
Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, epiqendra e tërmetit ishte në fshatin Nikël të Krujës, rreth 7 kilometra në veriperëndim të Kamzës, duke e bërë një ndër lëkundjet më të afërta me kryeqytetin në vitet e fundit.
“Kemi regjistruar një tërmet me magnitudë 4.4, i lokalizuar pranë kryeqytetit. Ky aktivitet sizmik ka nisur më herët, që nga data 6 qershor, me 27 paragoditje të vërejtura deri tani. Po analizojmë nëse lëkundja e sotme është goditja kryesore,” – deklaroi sizmologu Damiano Koxhaj.
Sipas ekspertëve, edhe pse Shqipëria ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të moderuar deri të lartë, kjo lëkundje u ndje ndjeshëm në Tiranë për shkak të thellësisë së vogël dhe afërsisë gjeografike me zonën e banuar.
“Për territorin tonë, kjo është një dukuri e zakonshme. Por për Tiranën, për shkak të afërsisë me epiqendrën, është një event pak më i veçantë,” – shtoi sizmologu.
Instituti ka njoftuar se nuk ka vend për panik, pasi pasgoditjet e vazhdueshme që janë regjistruar deri tani janë me frekuencë dhe intensitet normal, çka shihet si një shenjtë pozitive që aktiviteti mund të shkojë drejt qetësimit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar si pasojë e lëkundjeve./Versus.al/







