Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur të lirojë nga paraburgimi Jeton Dervishin, 38-vjeçar nga Prizreni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me dy vite burg në Hungari për kalim të paligjshëm të emigrantëve. Ai është dënuar për të njëjtën vepër edhe në Serbi.
Më herët, Gjykata e Kukësit kishte miratuar ekstradimin, por avokati i tij, Sokol Tahiri, e ankimoi vendimin në Apel, duke theksuar se ishin tejkaluar afatet ligjore të paraburgimit dhe se klienti i tij ishte në rrezik serioz në rast ekstradimi në Serbi.
“Afati maksimal për një masë shtrënguese për ekstradim është 3 muaj. Në këtë rast, Dervishaj mbahet prej 11 muajsh në paraburgim, çka përbën tejkalim të qartë të afateve ligjore dhe e bën të pavlefshme masën e sigurisë,” – thuhej në argumentimin e avokatit.
Tahiri shtoi gjithashtu se klienti i tij është pjesë e një “familjeje të luftës” dhe ekstradimi drejt Serbisë do të përbënte rrezik real për jetën dhe sigurinë e tij.
Pas shqyrtimit të ankesës, Apeli vendosi të lirojë Dervishin nga masa e paraburgimit, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë dhe duke ndalur përkohësisht procedurat për ekstradimin e tij. /Versus.al/







