AKTUALITET /

Befason deputeti Adem Hoxha me shkaqet e sulmit ndaj tij, gruas dhe vajzës: Arrestohet i dyshuari

Motivet prapa këtij sulmi ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por Hoxha ka aluduar për pakënaqësi politike nga i dyshuari, duke thënë se “ai gjithmonë ka pasur ambicie të dështuara për të hyrë në politikë, duke garuar nëpër parti të tjera për të na mundur në zgjedhje”.

Shkruar nga Versus

Befason deputeti Adem Hoxha me shkaqet e sulmit ndaj tij, gruas dhe vajzës:
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e së premtes, më 1 gusht 2025, në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha, bashkëshortja dhe vajza e tij e mitur janë sulmuar fizikisht nga një person i njohur për familjen.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia dhe burime nga QKMF-ja e Dragashit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:10, kur deputeti Hoxha, gruaja e tij N.Hoxha (rreth 50 vjeçare) dhe vajza e tyre 14-vjeçare, janë përfshirë në një përleshje fizike me Safet Kušin, 61 vjeç, banor i të njëjtit fshat.

Të lënduarit janë dërguar fillimisht në QKMF-në lokale, e më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore.

Deputeti Hoxha ka deklaruar për mediat se konflikti me të dyshuarin nuk është i ri. “Kemi pasur probleme më parë me këtë person. Policia dhe gjykata janë njoftuar disa herë. Madje njëherë është dënuar me gjobë, por duket se institucionet nuk kanë reaguar siç duhet ndër vite,” u shpreh Hoxha në një intervistë për Klan Kosova.

Ai theksoi se sulmi ishte i paprovokuar dhe ndodhi në prani të familjes së tij. "Është e pafalshme që të ndodhin akte të tilla, sidomos ndaj një familjeje dhe pa ndonjë arsye të qartë."

Motivet prapa këtij sulmi ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por Hoxha ka aluduar për pakënaqësi politike nga i dyshuari, duke thënë se “ai gjithmonë ka pasur ambicie të dështuara për të hyrë në politikë, duke garuar nëpër parti të tjera për të na mundur në zgjedhje”.

Nga ana e saj, Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit, duke bërë të ditur se ndaj tij është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor” dhe me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë. Hetimet janë duke vazhduar dhe rasti po trajtohet me ndjeshmëri të lartë, për shkak të përfshirjes së një zyrtari të lartë të shtetit.

Poll