
Një operacion policor i koduar "Game Over" ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur për organizimin e lojërave të fatit në Divjakë, ndërsa në pranga kanë rënë pronari i lokalit dhe një kamarier.
Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, ushtruan kontrolle në disa ambiente të dyshuara për zhvillimin e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit u evidentua një lokal në fshatin Karavasta e Re, ku dyshohet se organizoheshin baste dhe lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, A. Ç., 52 vjeç, ndërsa u vu në pranga edhe E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë biznes.
Gjatë kontrollit të telefonit celular të kamarierit, policia konstatoi faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Po ashtu, nga verifikimet rezultoi se ai ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Si prova materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për vijimin e hetimeve.
Njoftimi i policisë:
Divjakë
Finalizohet operacioni policor i koduar "Game Over", për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Zbulohet në një lokal një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve.
Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një kamarier, i punësuar në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Game Over", ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./Versus.al

