Në seancën e kaluar plenare, u bë një ndryshim në Kodin e Punës, në të cilin pushimet vjetore për punonjësit u pakësuan me 6 ditë.
Pra, punonjësit do të përfitojnë vetëm 22 ditë kalendarike pushime vjetore, nga 4 javë kalendarike që kanë qenë të parashikuara më parë.
Për këtë ndryshim, ka reaguar Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila uron të jetë një lajthitje apo lapsus ku janë ngatërruar termat 'ditë pune' dhe 'ditë kalendarike'. Sipas saj kjo është diçka e rëndësishme, pasi nëse ndryshimi i Kodit të Punës e ka të përcaktuar 22 ditë pune, atëherë gjithçka është në rregull duke qenë se nuk llogaritet dita e shtunë dhe e dielë, por nëse janë 22 ditë kalendarike praktikisht janë pakësuar 6 ditë të lejes vjetore së punonjësve.
Reagimi i Konfederatës e Sindikatave të Shqipërisë: Parlamenti i Shqipërisë “Shkurton kohën e pushimeve vjetore të punëmarrësve Shqiptarë me 6 ditë”.
Në turrën e projektligjeve të miratuara vetëtimthi ditën e fundit të këtij sezoni Parlamenti Shqiptar me propozim të disa deputetëve anonim dhe vegla të oligarkise ekonomike dhe financiare është miratur ndryshimi i Kodit të Punës pa asnjë konsulim paraprak me aktorët social dhe grupet e interesit, pa kaluar në asnjë strukturë konsultuese si Këshilli Kombëtar i Punës apo Ministria përgjegjëse për marrëdhëniet e punës.
Sipas këtij propozimi i cili ka të bëjë me Kohën e pushimeve vjetore të pagueshme, është hequr nga Kodi i Punës, Neni 92 pike 2 togfjalëshi “4 javë kalendarike” , dhe është ndryshuar me togfjalshin “22 ditë kalendarike”.
Urojmë të jetë lajthitje apo lapsus ku është ngatërruar dhe zëvendësuar fjala “ditë kalendarike” me “ditë pune”.
KSSH kërkon nga Qeveria dhe Parlamenti shpjegime dhe transparencën e duhur: “Nëse ndryshimi do të ishte me togfjalëshin “22 ditë pune”, atëherë nuk do të përfshiheshin dita e shtunë dhe e dielë, që do të bënte të mundur llogaritjen e pushimeve vjetore në 28 ditë gjithsej.
Në qoftë se ndryshimi do ishte në formën “22 ditë pune”, do ishte në përputhje me Konventën C52 te 22 shtatorit 1939, Konventën C132 te 30 qershorit 1973 dhe Rekomandimin Ne.47 te ILO-s , të cilat garantojnë standartet minimale për pushimet vjetore të pagueshme. Si dhe Konventën C144 “Për Konsultimet Tripaleshe për të nxitur Zbatimin e Standarteve Ndërkombëtare të Punës, të vitit 1976 hyrë në fuqi 16 maj 1978.
Në të kundërt, ky ndryshim ligjor në formën e prezantuar publikisht do ulë në 6 ditë kohën e pushimeve vjetore të pagueshme është antikushtetues, përkeqëson ndjeshëm pozitën e punëmarrësit dhe humb një të drejtë të fituar për dekada nga punëmarrësit, përfshirë edhe kohën para viteve 1990.
KSSH është gati të ballafaqohet nëse Parlamenti nuk tërhiqet duke bërë thirrje për Grevë Kombëtare, si dhe do të kontaktojë me strukturat përgjegjëse të BE dhe të ILO për të ushtruar autoritetin e tyre në lidhje me plotësimin korrekt të standarteve minimale të gjithpranuara..në kuadër të proceseve Integruese të vendit tonë për në BE./ Versus.al








