GREQI-Një krim i rëndë tronditi mëngjesin e kësaj të premteje qytetin e Volosit në Greqi. Një 40-vjeçar shqiptar vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare, me të cilën kishte katër fëmijë, dhe më pas u arratis nga vendi i ngjarjes.
Sipas asaj që shkruan Protothema, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 (me orën lokale), në pallatin ku jetonte familja shqiptare, në rrugën “Konstanta”.
Sherri mësohet se nisi brenda në shtëpi dhe vijoi në hyrje të pallatit.
Pikërisht në këtë moment, shqiptari vrau bashkëshorten, dyshohet me thikë, dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas të dhënave të deritanishme të Protothema, krimi ndodhi në sytë e fëmijëve të çiftit. Një prej tyre mësohet se i tha policisë: “E pashë babin duke goditur mamin me thikë”.
Autoritetet policore, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, u vunë në ndjekje të 40-vjeçarit që punonte në ndërtim.
E gjithë zona u rrethua nga forca të shumta policie.
Mediat greke shkruajnë se, ndonëse familja nuk rezulton të kishte histori dhune të raportuara në polici, autori dyshohet se ishte përdorues i drogës.
Megjithatë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë./Versus.al
FOTO NGA VENDNGJARJA: