Gjykata e Posaçme ka vendosur deklarimin fajtor të biznesmenit të shpallur në kërkim Rezart Taçi për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Në total dënimi i caktuar për të është 11 vite burg. Gjithashtu me vendimin e dënimit të tij, u miratua edhe konfiskimi i llogarive bankare që Taçi ka në vendin tonë.
Në nëntor të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme shpalli në kërkim ndërkombëtar Taçin për fshehjen e 18 milionë eurove të mafies italiane 'Cosa Nostra' të cilat u bllokuan në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskuan.
Sipas SPAK, biznesmeni i naftës do pastronte paratë përmes lëvizjes në disa banka në disa shtete dhe do merrte 16% të vlerës totale monetare. Nga hetimet e SPAK thuhet se Artur Balla dhe Bledar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Deri më tani për këtë çështje Bledar Lilo e Artur Balla janë dënuar përkatësisht me 6 vjet e 8 muaj dhe 7 vjet e 4 muaj burgim. Ndërkohë për 4 shtetas italianë të përfshirë, gjykimi është veçuar dhe procesi po vijon në Itali. Versus.al

