
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski theu heshtjen lidhur me protestat e zhvilluara së fundmi nga studentët shqiptare të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Në një deklaratë për mediat, Mickoski u shpreh se po punohet për zgjidhjen, duke nënvizuar se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe standartet ndërkombëtare.
“Kërkesat janë një gjë, ndërsa Kushtetuta dhe standadet ndërkombëtare janë tjetër gjë dhe ashtu duhet të sillemi”, tha Mickoski.
Ndërsa shtoi se vetë Gjykata Kushtetuese e sfidon Ligjin për Gjuhët.
“Është fakt se kemi mendim negativ nga Komisioni i Venecias për dygjuhësinë në drejtësi, për shkak se nuk kemi burime të mjaftueshme për ta zbatuar atë dhe se nuk garantohet ushtrimi i së drejtës”, tha Mickoski.
Ndërsa më tej shtoi se studentët të cilët kanë studiuar në gjuhën amtare kanë të drejtë të kërkojnë që provimin e jurisprudencës të japin në gjuhën e tyre amtare. Sipas kreut të qeverisë, përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare me pjesëmarrjen e tyre në protestën e djeshme në Shkup të studentëve të juridikut për çështjen e provimit të jurisprudencës, po tentojnë që të destabilizojnë vendin.
“Ne i kemi informuar aleatët tanë në NATO si dhe brenda Bashkimit Evropian për përpjekjen e opozitës për të krijuar destabilizim në një mënyrë të caktuar. Mendoj se kjo nuk ka marrë miratimin e përfaqësuesve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai kur u pyet për protestën e djeshme në kryeqytet. Versus.al

