AKTUALITET /

Pastronte paratë e drogës, ekstradohet nga Milano "kordinatori" i grupit të Visit të Pojës

Shkruar nga Versus

Pastronte paratë e drogës, ekstradohet nga Milano

Erind Lasku, njëri prej të shpallurve në kërkim për operacionin “Ura” në Durrës, është ekstraduar nga Italia mbrëmjen e djeshme pasi ndaj tij GJKKO kishte caktuar masën “arrest me burg”.

Lasku ishte në kërkim ndërkombëtar për pastrimin e parave të grupit kriminal që drejtohej nga Elvis Doçi, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”. Këtij të fundit para një viti, policia i gjeti dhe sekuestroi shumën “cash” prej 3 milionë eurove dhe është ende i shpallur në kërkim.

Roli i të ekstraduarit nga Milano, ishte koordinimi i investimeve në pasuri të paluajtshme të parave të fituara nga trafiku i drogës. Ai njihet edhe si njeri me lidhje familjare me kreun e grupit. Tashmë pritet që t’i nënshtrohet procesit gjyqësor për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë të operacionit “Ura” për të cilin u lëshuan 29 urdhër-arreste.

Grupi i drejtuar nga Elvis Doçi funksiononte me hierarki në 5 nivele të ndryshme. Doçi dhe Adi Çoba rezultojnë krerët e grupit dhe merreshin me sigurimin e lëndës narkotike nga Amerika Latine dhe më pas transportimin në vendet e Bashkimit Europian. Më pas transporti i parave të përfituara bëhej nëpërmjet autobusëve që vinin drejt Shqipërisë. Deri më tani janë zbardhur 32 episode ku shoferët e autobusëve kanë transportuar drejt vendit tonë rreth 3 milionë euro “cash”.

Për grupin e Visit të Pojës, ka patur akuza të vazhdueshme nga ana e opozitës dhe kryedemokratit Sali Berisha i cili e konsideron këtë organizatë si të lidhur me qeverinë dhe ndikuese në zgjedhjet parlamentare. Madje kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar SPAK-un se veproi ndaj grupit të Visit të Pojës vetëm pas zgjedhjeve duke mos e parandaluar atë që ai e quan “farsë zgjedhore”. Versus.al

Poll