Për herë të parë pas caktimit të masës 'arrest me burg', presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të merret në pyetje në cilësinë e personit nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me nje bizmesmen, për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij, të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Ai u arrestua tetorin e vitit të kaluar bazuar në rezultatet e këtyre hetimeve dhe gjendet në paraburgim.
Akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshorte e Ilir Metës.
Ndaj Kryemadhit, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje./Versus.al








