Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor lidhur me ankimin e Pëllumb Gjokës përsa i takon përdorimit të përgjimeve të Sky Ecc e Encrochat.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi mbi bazë dokumentesh, një prej çështjeve më të debatueshme kohët e fundit, atë të Sky ECC, ku pas zbërthimit të aplikacionit të koduar nga autoritetet franceze, SPAK ka zhvilluar hetime dhe goditur disa grupe kriminale si dhe njerëz të politikës. Gjoka ka kërkuar që Kushtetuesja të shpallë të pavlefshme përgjimet e platformave Sky Ecc dhe EncroChat, mbi të cilat SPAK ka nisur një seri procedimesh penale dhe ka kryer një seri arrestimesh të personave të ndryshëm.
Kushtetuesja është vënë në lëvizje nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit "Metamorfoza", i cili kërkon papërdorshmërinë e këtyre komunikimeve në procesin penal ndaj tij që po zhvillohet në gjykatën e Posaçme, pasi i konsideron të marra në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër SPAK ndërkohë pretendon se këto komunikime mund të përdoren në proceset penale, pasi janë marrë përmes letërporosive në mënyrë në rrugë ligjore dhe proceduriale.
Në njoftimin zyrtar Kushtetuesja bën të ditur se ka zhvilluar sot seancën gjyqësore me kërkues Pëllumb Gjoka dhe objekt “Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.
Shfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.
Gjykata shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesi, prapësimet e subjekteve të interesuara dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit.
Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore.








