Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim koordinues në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për të diskutuar masat parandaluese ndaj motit të rënduar që pritet në ditët në vijim.
Ajo bëri të ditur se situata pritet të përkeqësohet që në orët e para të natës, rreth orës 01:00, duke nisur nga veriu dhe më pas duke u shtrirë në verilindje të vendit.
Sipas Ballukut, KESH ka kryer analizën e situatës dhe ka nisur uljen e niveleve në basenet e Komanit dhe Vaut të Dejës që prej 11 nëntorit, për të krijuar hapësirë ndaj prurjeve të mëdha nga përrenjtë.
Ajo u ndal edhe te situata në Fushë Shkodër, duke theksuar se KESH ka marrë masat e nevojshme për të mbledhur ujin në të dy basenet, pa qenë nevoja të hapen portat e hidrocentraleve.
