
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka goditur me forcë këtë të premte: dy efektivë policie janë arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është pezulluar nga detyra për abuzime të rënda që shkojnë nga përndjekja dhe dhuna, te shpërdorimi i detyrës dhe largimi nga vendi i aksidentit.
Korçë – Shofer i dehur dhe arratisje nga vendi i ngjarjes
Në Korçë, në pranga ka përfunduar A.H., 57 vjeç, Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit në Drejtorinë e MZSH-së në Bashkinë Korçë. Ai akuzohet për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt dhe braktisje të vendit të aksidentit. Zyrtari përplasi makinën e tij me një tjetër mjet në unazën e qytetit dhe u largua. Testi i alkoolit rezultoi tronditës: 1.07 mg/l, shumë mbi normën e lejuar. Për fat, pati vetëm dëme materiale.
Tiranë – Dhunë dhe përndjekje ndaj ish-të dashurës
Në Tiranë, inspektori B.M., 24 vjeç, efektiv në Komisariatin nr. 4, u arrestua pas denoncimit të një 27-vjeçareje që pretendon se është përndjekur dhe dhunuar fizikisht nga ish-partneri, duke i shkaktuar pasiguri të vazhdueshme për jetën. Ngjarja ka ndodhur më 25 maj dhe AMP reagoi menjëherë.
Elbasan – Favor për shkelësit e qarkullimit
Ndërkohë, në Elbasan, AMP ka pezulluar nga detyra inspektorin B.T., 54 vjeç, pjesë e shërbimit të qarkullimit rrugor. Ai dyshohet për shpërdorim detyre, pasi sipas hetimeve të Prokurorisë, ka favorizuar drejtues automjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit. Gjykata caktoi ndaj tij masën “pezullim nga detyra”. Versus.al







